Drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve Operacionale – Njoftim për vend të lirë pune

Në mbështetje të Ligjit nr.139/2015, datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”; Ligjit nr. 7961,datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Urdhërit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë nr.3489/1, datë 06.10.2022 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Agjencisë së Shërbimeve Funerale, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë”, Agjencia e Shërbimeve Funerale shpall procedurën e konkurimit për një vend të lirë pune për pozicionin:

  • Drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve Operacionale – Kategoria e pagës II-b

Përshkrimi përgjithësues i punës për pozicionin është:

  1. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Operacionale ka vartësi direkte nga Drejtori i Përgjithshëm dhe përgjigjet përpara tij për funksionimin e Drejtorisë që ai drejton.
  2. Drejton dhe organizon punën koordinative me të gjithë sektorët e vartësisë, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
  3. Harton strategjinë dhe propozon alternativa bashkëkohore për përmirësim të punës të  drejtorisë së shërbimeve operacionale.
  4. Ndjek me përgjegjësi menaxhimin e territorit në shërbim të procesit të varrimit dhe njofton minimalisht 1 vit më parë për fillimin e përgatitjes së kërkesave ligjore për shpronësim apo ndërtim të varrezave të reja.
  5. Mbi bazën e realizimit të detyrave sipas pozicioneve të punës që kanë nëpunësit në vartësi, në mënyrë periodike dhe në fund të vitit plotëson formularin për treguesit e performancës për çdo punonjës.
  6. Përgatit relacione, memo ditore, javore, mujore, vjetore sipas rastit dhe ja përcjell Drejtorit të Përgjithshëm.
  7. Kërkon respektimin e disiplinës formale në punë, shfrytëzimin e kohës së punës nga punonjësit, si dhe plotëson listëprezencën mujore e zbatimin e saj.
  8. Përcjell pranë Drejtorit të Përgjithshëm parashikimin e planit mujor të drejtorisë  brenda datës 05 të çdo muaji, sipas formatit të përcaktuar në urdhërat e brendshëm.
  9. Përcjell pranë Drejtorit të Përgjithshëm realizimin e planit mujor të drejtorisë brenda datës 05 të muajit pasardhës, sipas formatit të përcaktuar në urdhërat e brendshëm.
  10. Raporton çdo tre mujor nëpërmjet relacionit, memo-s pranë Drejtorit të Përgjithshëm për punën e kryer të drejtorisë.
  11. Harton planin e integruar vjetor të drejtorisë dhe e përditëson atë, duke e përcjellë më pas pranë Drejtorit të Përgjithshëm.
  12. Harton Regjistrin e  Riskut për Drejtorinë e Shërbimeve Operacionale.
  13. Ndjek dhe kërkon zbatimin e disiplinës në punë, duke përfshirë edhe disiplinën formale në punë dhe është përgjegjës për sigurimin teknik te punonjësve.
  14. Në vëmendje të këtij bashkërendimi hartojnë dhe planifikojnë planin e punës që duhet të kryejnë këta sektorë gjatë muajit, së bashku me përgjegjësit e sektorëve përkatës.
  15. Bën planifikimin e buxhetit për vitin pasardhës dhe për afat  të mesëm, bashkë me përgjegjësit e sektorëve në varësi.
  16. Informon në mënyrë periodike Drejtorin e Përgjithshëm mbi problematikën dhe realizimin e detyrave gjatë muajit.
  17. Propozon masa administrative për punonjësit në varësi, kur në mënyrë të përsëritur nuk zbatojnë detyrat e ngarkuara dhe kryejnë veprime, që janë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.

1. KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI NË PROCEDURËN E PRANIMIT DHE KRITERET E VEÇANTA

Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e pranimit për pozicionin Drejtor janë:

  1. Të jetë shtetas shqiptar;
  2. Të ketë kryer arsimin e lartë;
  3. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  4. Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
  5. Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
  6. Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje.

Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e veçanta si vijon:

  1. Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master Shkencor” në Ekonomik/ Inxhinieri Ndërtimi. Diplomat, të cilat janë marrë jashtë vendit duhet të jenë njohur pranë institucionit përgjegjës për njehsimin e diplomave sipas legjislacionit të arsimit të lartë.
  2. Eksperienca në punë jo më pak se 3 vjet.

2. DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT

 Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:

  1. Kërkesë për aplikim (me shkrim dore sipas formatit të publikuar);
  2. Curriculum Vitae (jetëshkrimi);
  3. Fotokopje e diplomës së shkollës e noterizuar (përfshirë edhe diplomën bachelor);
  4. Fotokopje e kartës se identitetit;
  5. Çertifikatë personale;
  6. Çertifikatë e përbërjes familjare;
  7. Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimim shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;
  8. Fotokopje e librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  9. Motivacioni i largimit nga puna e fundit (nëse është i punësuar ose ka qënë i punësuar);
  10. Raport mjeko-ligjor;
  11. Vërtetim i gjendjes gjyqësore;
  12. Dy fotografi.

Dokumentat duhet të dorëzohen me postë apo drejtpërsëdrejti në zyrën e protokollit të Agjencisë së Shërbimeve Funerale brenda datës 19 janar 2023.

3. REZULTATET PËR FAZËN E VERIFIKIMIT PARAPRAK

Në datën 24 janar 2023, Njësia e Burimeve Njerëzore në Agjencinë e Shërbimeve Funerale do të shpallë në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen e internetit të Agjencisë dhe stendat e informimit të publikut, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kriteret e veçanta për procedurën e pranimit si dhe datën, vendin dhe orën e saktë ku do të zhvillohet intervista. Në të njëjtën datë kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet e pranimit për pozicionin e lirë të punës dhe kërkesat e posaçme do të njoftohen individualisht (nëpërmjet adresës së e-mail), për shkaqet e moskualifikimit.

4. FUSHAT E NJOHURIVE, AFTËSITË DHE CILËSITË MBI TË CILAT DO TË ZHVILLOHET INTERVISTA

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me njohuritë në:

  1. Ligjin nr.9220, datë 15.04.2004 “Për administrimin e shërbimit të varrimit” (ndryshuar me ligjin Nr.80/2014).
  2. Ligji 8402, datë 10.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
  3. Ligji Nr.10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, i ndryshuar dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

5. MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:

Kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe për vlerësimet e rezultateve individale në punë.Totali i pikëve për këtë vlerësim është 40 pikë.

Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:

a- Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;

b- Eksperiencën e tyre të mëparshme;

c- Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 60 pikë.

6. DATA E DALJES SË REZULTATIT DHE MËNYRA E KOMUNIKIMIT

Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Njësia e Burimeve Njerëzore do të njoftojë ata individualisht në mënyrë elektronike për rezultatet (nëpërmjet adresës së e-mail). Njësia e Burimeve Njerëzore do të shpallë fituesin në faqen zyrtare të Agjencisë, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe stendat e informimit të publikut.