Në mbështetje të Ligjit nr.139/2015, datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”; Ligjin nr. 7961,datë 12.07.1995 Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë (të ndryshuar), Urdhërit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë nr.3717/2, datë 01.02.2017 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Agjencisë së Shërbimeve Funerale, njësi në varësi të Bashkisë Tiranë” (të ndryshuar), Agjencia e Shërbimeve Funerale rishpall procedurën e konkurimit për vendin e lirë të punës për pozicionin:
1 (një) Specialist Inxhinier Ndërtimi – Kategoria e pagës III-b
Përshkrimi përgjithësues i punës për pozicionet si më sipër është:
1. Njeh dhe zbaton legjislacionin në fuqi të fushës së ndërtimit.
2. Ndjek investimet që kryhen nga institucioni në varrezat publike, brenda territorit të Bashkisë Tiranë, sipas kushteve të përcaktuar në kontratën e sipërmarrjes.
3. Harton dokumentacionin teknik dhe zbaton çdo kërkesë tjetër, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi të prokurimeve publike, me natyrë të fushës së ndërtimit.
4. Shqyrton kërkesat teknike të propozuara nga sektorët e varrezave dhe 13 njësitë administrative për punime të domosdoshme apo emergjente në varrezat publike.
5. Harton projekt-preventivat për punime të ndryshme që propozohen të kryhen nga sektorët e varrezave në përputhje me manualet e ndërtimit në fuqi.
6. Kontrollon situacionet e raportimit të punës nga teknikët e ndërtimit Tufinë dhe Sharrë.
7. Kontrollon raportet periodike dhe vjetore të punës në sektorët Tufinë dhe Sharrë.
8. Rakordon punën me sektorin ekonomik për hartimin e zbërthimit të përdorimit të materialit teknik.
9. Kontrollon në mënyrë periodike zbatimin e ndërtimit të varrit sipas parametrave teknikë vendosur në V.K.M nr.712, datë 29.10.2014 për miratimin e rregullores teknike “Për projektimin dhe ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”.
1. KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI NË PROCEDURËN E PRANIMIT DHE KRITERET E VEÇANTA
Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e pranimit për pozicionin specialist inxhinier ndërtimi janë:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë kryer arsimin e lartë;
c) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
d) Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
e) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
f) Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e veçanta si vijon:
a) Të zotërojnë minimalisht diplomë të nivelit “Master Profesional” në Inxhinieri Ndërtimi;
b) Të këtë përvojë pune jo më pak se 5 (pesë) vjet në profesion;
c) Përdorues shumë i mirë i paketës MS Office dhe programet kompjuterike të fushës si autocad etj;
2. DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT
Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:
1. Kërkesë për aplikim (me shkrim dore sipas formatit të publikuar);
2. Curriculum Vitae (jetëshkrimi);
3. Fotokopje e diplomës së shkollës dhe lista e notave e noterizuar (përfshirë edhe diplomën bachelor);
4. Fotokopje e kartës se identitetit;
5. Çertifikatë e përbërjes familjare;
6. Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimim shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;
7. Fotokopje e librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
8. Motivacioni i largimit nga puna e fundit (nëse është i punësuar ose ka qënë i punësuar);
9. Raport mjeko-ligjor;
10. Vërtetim i gjendjes gjyqësore;
11. Dy fotografi ( përmasa 2.5×3.5 cm)
Dokumentat duhet të dorëzohen me postë apo drejtpërsëdrejti në zyrën e protokollit të Agjencisë së Shërbimeve Funerale brenda datës 26 Tetor 2020.
3. REZULTATET PËR FAZËN E VERIFIKIMIT PARAPRAK
Në datën 29 Tetor 2020, Njësia e burimeve njerëzore në Agjencinë e Shërbimeve Funerale do të shpallë në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen e internetit të Agjencisë dhe stendat e informimit të publikut, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kriteret e veçanta për procedurën e pranimit si dhe datën, vendin dhe orën e saktë ku do të zhvillohet intervista. Në të njëjtën datë kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet e pranimit për pozicionin e lirë të punës dhe kërkesat e posaçme do të njoftohen individualisht (nëpërmjet adresës së e-mail), për shkaqet e moskualifikimit.
4. FUSHAT E NJOHURIVE, AFTËSITË DHE CILËSITË MBI TË CILAT DO TË ZHVILLOHET INTERVISTA
Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me njohuritë në:
a- Ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 për “Kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar.
b- Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” (të ndryshuar).
5. MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE
Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:
Kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe për vlerësimet e rezultateve individale në punë.Totali i pikëve për këtë vlerësim është 40 pikë.
Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:
a- Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;
b- Eksperiencën e tyre të mëparshme;
c- Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 60 pikë.
6. DATA E DALJES SË REZULTATIT DHE MËNYRA E KOMUNIKIMIT
Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Njësia e Burimeve Njerëzore do të njoftojë ata individualisht në mënyrë elektronike për rezultatet (nëpërmjet adresës së e-mail). Njësia e Burimeve Njerëzore do të shpallë fituesin në faqen zyrtare të Agjencisë, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe stendat e informimit të publikut.
ING NDERTIMI – A.SH.F Rishpallje per vend te lire pune Tetor 2020