NJOFTIM PËR VEND TË LIRË PUNE
Në mbështetje të Ligjit nr.139/2015, datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”; Ligjin nr. 7961,datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” (të ndryshuar), Urdhërit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë nr.470, datë 06.01.2022 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Agjencisë së Shërbimeve Funerale, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë”, Agjencia e Shërbimeve Funerale shpall procedurën e konkurimit për një vend të lirë pune për pozicionin:
- Drejtor i Shërbimeve Operacionale – Kategoria e pagës II-b
Përshkrimi përgjithësues i punës për pozicionin është:
- Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Operacionale ka vartësi direkte nga Drejtori i Përgjithshëm dhe përgjigjet përpara tij për funksionimin e Drejtorisë që ai drejton.
- Drejton dhe organizon punën koordinative me të gjithë sektorët e vartësisë, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
- Harton strategjinë dhe propozon alternativa bashkëkohore për përmirësim të punës të drejtorisë së shërbimeve operacionale.
- Ndjek me përgjegjësi menaxhimin e territorit në shërbim të procesit të varrimit dhe njofton minimalisht 1 vit më parë për fillimin e përgatitjes së kërkesave ligjore për shpronësim apo ndërtim të varrezave të reja.
- Mbi bazën e realizimit të detyrave sipas pozicioneve të punës që kanë nëpunësit në vartësi, në mënyrë periodike dhe në fund të vitit plotëson formularin për treguesit e performancës për çdo punonjës.
- Përgatit relacione, memo ditore, javore, mujore, vjetore sipas rastit dhe ja përcjell Drejtorit të Përgjithshëm.
- Kërkon respektimin e disiplinës formale në punë, shfrytëzimin e kohës së punës nga punonjësit, si dhe plotëson listëprezencën mujore e zbatimin e saj.
- Përcjell pranë Drejtorit të Përgjithshëm parashikimin e planit mujor të drejtorisë brenda datës 05 të çdo muaji, sipas formatit të përcaktuar në urdhërat e brendshëm.
- Përcjell pranë Drejtorit të Përgjithshëm realizimin e planit mujor të drejtorisë brenda datës 05 të muajit pasardhës, sipas formatit të përcaktuar në urdhërat e brendshëm.
- Raporton çdo tre mujor nëpërmjet relacionit, memo-s pranë Drejtorit të Përgjithshëm për punën e kryer të drejtorisë.
- Harton planin e integruar vjetor të drejtorisë dhe e përditëson atë, duke e përcjellë më pas pranë Drejtorit të Përgjithshëm.
- Harton Regjistrin e Riskut për Drejtorinë e Shërbimeve Operacionale.
- Ndjek dhe kërkon zbatimin e disiplinës në punë, duke përfshirë edhe disiplinën formale në punë dhe është përgjegjës për sigurimin teknik te punonjësve.
- Në vëmendje të këtij bashkërendimi hartojnë dhe planifikojnë planin e punës që duhet të kryejnë këta sektorë gjatë muajit, së bashku me përgjegjësit e sektorëve përkatës.
- Bën planifikimin e buxhetit për vitin pasardhës dhe për afat të mesëm, bashkë me përgjegjësit e sektorëve në varësi.
- Informon në mënyrë periodike Drejtorin e Përgjithshëm mbi problematikën dhe realizimin e detyrave gjatë muajit.
- Propozon masa administrative për punonjësit në varësi, kur në mënyrë të përsëritur nuk zbatojnë detyrat e ngarkuara dhe kryejnë veprime, që janë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
1. KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI NË PROCEDURËN E PRANIMIT DHE KRITERET E VEÇANTA
Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e pranimit për pozicionin Drejtor janë:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë kryer arsimin e lartë;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
- Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
- Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje.
Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e veçanta si vijon:
- Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master Shkencor” në Inxhinieri Ndërtimi. Diplomat, të cilat janë marrë jashtë vendit duhet të jenë njohur pranë institucionit përgjegjës për njehsimin e diplomave sipas legjislacionit të arsimit të lartë.
- Eksperienca në punë jo më pak se 5 vjet.
2. DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT
Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:
- Kërkesë për aplikim (me shkrim dore sipas formatit të publikuar);
- Curriculum Vitae (jetëshkrimi);
- Fotokopje e diplomës së shkollës e noterizuar (përfshirë edhe diplomën bachelor);
- Fotokopje e kartës se identitetit;
- Çertifikatë e përbërjes familjare;
- Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimim shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;
- Fotokopje e librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
- Motivacioni i largimit nga puna e fundit (nëse është i punësuar ose ka qënë i punësuar);
- Raport mjeko-ligjor;
- Vërtetim i gjendjes gjyqësore;
- Dy fotografi ( përmasa 2.5×3.5 cm).
Dokumentat duhet të dorëzohen me postë apo drejtpërsëdrejti në zyrën e protokollit të Agjencisë së Shërbimeve Funerale brenda datës 21 shkurt 2022.
3. REZULTATET PËR FAZËN E VERIFIKIMIT PARAPRAK
Në datën 24 shkurt 2022, Njësia e Burimeve Njerëzore në Agjencinë e Shërbimeve Funerale do të shpallë në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen e internetit të Agjencisë dhe stendat e informimit të publikut, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kriteret e veçanta për procedurën e pranimit si dhe datën, vendin dhe orën e saktë ku do të zhvillohet intervista. Në të njëjtën datë kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet e pranimit për pozicionin e lirë të punës dhe kërkesat e posaçme do të njoftohen individualisht (nëpërmjet adresës së e-mail), për shkaqet e moskualifikimit.
4. FUSHAT E NJOHURIVE, AFTËSITË DHE CILËSITË MBI TË CILAT DO TË ZHVILLOHET INTERVISTA
Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me njohuritë në:
- Ligjin nr.9220, datë 15.04.2004 “Për administrimin e shërbimit të varrimit” (ndryshuar me ligjin Nr.80/2014).
- Ligji 8402, datë 10.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
5. MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE
Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:
Kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe për vlerësimet e rezultateve individale në punë.Totali i pikëve për këtë vlerësim është 40 pikë.
Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:
a- Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;
b- Eksperiencën e tyre të mëparshme;
c- Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 60 pikë.
6. DATA E DALJES SË REZULTATIT DHE MËNYRA E KOMUNIKIMIT
Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Njësia e Burimeve Njerëzore do të njoftojë ata individualisht në mënyrë elektronike për rezultatet (nëpërmjet adresës së e-mail). Njësia e Burimeve Njerëzore do të shpallë fituesin në faqen zyrtare të Agjencisë, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe stendat e informimit të publikut.