Në mbështetje të Ligjit nr.139/2015, datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar; Ligjin nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” (të ndryshuar), Urdhërin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë nr.2784 prot., datë 19.01.2024 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Agjencisë së Shërbimeve Funerale, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë”, Agjencia e Shërbimeve Funerale shpall procedurën e konkurimit për një vend të lirë pune për pozicionin, si më poshtë vijon:
- Specialist Marrëdhënie me Publikun e Median – Kategoria e pagës IV-a
Përshkrimi përgjithësues i punës për pozicionin është:
- Specialisti i marrëdhenieve me publikun, pas marrjes së ankesave dhe kërkesave me shkrim të qytetarëve ia paraqet Drejtorit, i cili përcakton zyrën apo sektorin që do të trajtojë problematikën e ankesave dhe kërkesave, në përputhje me procedurat e përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative.
- Të evidentojë problemet e ngritura nga qytetarët, të organizojë pritjen e përditshme të tyre, t’i sqarojë ata për problemet që lidhen me institucionin dhe të bëjë regjistrimin e kërkesave apo ankesave që vijnë me shkrim apo me gojë nga qytetarët.
- Të organizojë pritjen e Drejtorit të Agjencisë në ditën e pritjes ose të të ngarkuarit prej tij për të bërë pritjen dhe gjithashtu merr masa për njoftimin e punonjësve që iu adresohet detyra e dhënë nga pritja e drejtorit. Në përfundim të zgjidhjes së kërkesës, ankesës apo informacionit, nëpunësi i marrëdhënieve me publikun njofton drejtorin për mënyrën dhe kohën e zgjidhjes.
- Specialisti i marrëdhënieve me publikun i bën me dije çdo sektori apo zyre problemet që kanë paraqitur qytetarët dhe inicion dhënien e përgjigjeve ligjore në kohën e duhur.
- Harton regjistrin e kerkesave/ankesave të qytetarëve dhe kthim pergjigjet në mënyrë elektronike dhe shkresore.
- Kërkesat për informacion pasi protokollohen, dërgohen në sektorët përkatës për të marrë informacionin e kërkuar brenda afateve ligjore të përcaktuara, pa kërkuar shpjegime për qëllimin e kërkesës.
- Specialisti i Marrëdhënieve me Publikun, në bashkëpunim me drejtorinë apo sektorin përkatës, përgatit në një kohë sa më të shkurtër të mundshme informacionin e kërkuar dhe ia ofron atë qytetarit të interesuar.
- Duke qenë subjekt përfaqësues i Agjencisë në kontaktin e parë me njerëzit, me pretendimin për një shërbim sa më cilësor ndaj komunitetit, ai merr pjesë në të gjitha trajnimet që organizohen nga institucioni apo nga Bashkia e Tiranës apo fondacione të tjera, për kualifikimin e tij në funksion të detyrës.
- Në fund të çdo muaji paraqet në Drejtori, informacionin mbi pritjet e popullit dhe problematikën e evidentuar.
- Ndjek pasqyrimin nga mediat lokale dhe kombëtare, të shkruara dhe elektronike, të problemeve që lidhen me aktivitetin e Agjencisë dhe përgatit përmbledhje mbi mënyrën e trajtimit të tyre në media.
- Mban kontakte me mediat e shkruara dhe elektronike, lokale e kombëtare dhe iu vë në dispozicion përfaqësuesve të tyre informacion përmbledhës për aktivitetin e Agjencisë në përgjithësi apo aktivitete dhe probleme të veçanta që administrata e Agjencisë trajton për një periudhë të caktuar.
- Përgatit njoftimet e drejtorisë apo sektorëve të veçantë të Agjencisë për publikim në media dhe i vë në dispozicion të tyre.
- Përmes filmimeve, fotografive dhe informacioneve të ndryshme krijon arkivin mediatik, për të mundësuar promovimin e Agjencisë dhe ndryshimet e tij nga viti në vit.
- Dokumenton nëpërmjet fotografimit investimet që realizon agjencia.
- Administron faqen zyrtare te ëeb-it të agjencisë.
- Zbaton me korrektësi disiplinën në punë dhe detyrat e ngarkuara, duke mbajtur përgjegjësi për çdo rast shkelje të tyre.
1. KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI NË PROCEDURËN E PRANIMIT DHE KRITERET E VEÇANTA
Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e pranimit për pozicionin Specialist Marrëdhënie me Publikun e Median janë:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë kryer arsimin e lartë; Niveli minimal i diplomës Bachelor ose Diplomë e barazvlefshme me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në shkencat juridike/shoqërore;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
- Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
- Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje.
2. DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT
Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:
- Kërkesë për aplikim (sipas formatit të publikuar);
- Curriculum Vitae (jetëshkrimi);
- Fotokopje e diplomës së shkollës e noterizuar;
- Fotokopje e kartës se identitetit;
- Çertifikatë personale;
- Çertifikatë e përbërjes familjare;
- Fotokopje e librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
- Motivacioni i largimit nga puna e fundit (nëse është i punësuar ose ka qënë i punësuar);
- Raport mjeko-ligjor;
- Vërtetim i gjendjes gjyqësore;
- Dy fotografi (përmasa 2.5×3.5 cm).
Dokumentat duhet të dorëzohen me postë apo drejtpërsëdrejti në zyrën e protokollit të Agjencisë së Shërbimeve Funerale brenda datës 19 dhjetor 2024.
3. REZULTATET PËR FAZËN E VERIFIKIMIT PARAPRAK
Në datën 23 dhjetor 2024, Njësia e Burimeve Njerëzore në Agjencinë e Shërbimeve Funerale do të shpallë në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen e internetit të Agjencisë dhe stendat e informimit të publikut, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kriteret e veçanta për procedurën e pranimit si dhe datën, vendin dhe orën e saktë ku do të zhvillohet intervista. Në të njëjtën datë kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet e pranimit për pozicionin e lirë të punës dhe kërkesat e posaçme do të njoftohen individualisht (nëpërmjet komunikimit telefonik), për shkaqet e moskualifikimit.
4. MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE
Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:
Kandidatët do të vlerësohen për përvojën apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe për vlerësimet e rezultateve individuale në punë. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 40 pikë.
Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:
a- Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;
b- Eksperiencën e tyre të mëparshme;
c- Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 60 pikë.
5. DATA E DALJES SË REZULTATIT DHE MËNYRA E KOMUNIKIMIT
Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Njësia e Burimeve Njerëzore do të njoftojë ata individualisht në mënyrë elektronike për rezultatet (nëpërmjet komunikimit telefonik). Njësia e Burimeve Njerëzore do të shpallë fituesin në faqen zyrtare të Agjencisë, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe stendat e informimit të publikut.