NJOFTIM PËR VEND TË LIRË PUNE
Në mbështetje të Ligjit nr.139/2015, datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”; Ligjin nr. 7961,datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” (të ndryshuar), Urdhërit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë nr.470, datë 06.01.2022 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Agjencisë së Shërbimeve Funerale, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë”, Agjencia e Shërbimeve Funerale shpall procedurën e konkurimit për një vend të lirë pune për pozicionin:
- Specialist Finance e Dytë – Kategoria e pagës IV-a
Përshkrimi përgjithësues i punës për pozicionin si më sipër është:
- Verifikon veprimet kontabël të magazinës në bashkëpunim me punonjësen e ngarkuar për magazinën dhe harton raportin përmbledhës të llogarive për çdo muaj.
- Kontabilizon në ditarin e të ardhurave të gjitha veprimet që rrjedhin nga veprimtaria e të ardhurave të institucionit, të ardhurat nga shërbimi i varrimit dhe të ardhura të tjera që mund të realizohen gjatë aktivitetit të institucionit që rregullohet nga legjislacioni në fuqi.
- Kontabilizon, kontrollon dhe administron dokumentacionin justifikues dhe ligjor për realizimin e të ardhurave.
- Kuadron me Degën e Thesarit Tiranë për të ardhurat mujore dhe kryen rakordime periodike ditore, javore, mujore, vjetore sa herë kërkohet nga Drejtori i institucionit, Përgjegjësi i Sektorit Ekonomik dhe Drejtoria e Menaxhimit Financiar pranë Bashkisë Tiranë etj.
- Bën rakordimin periodik me Degën e Buxhetit dhe Degën e Thesarit për çeljen e fondeve dhe realizimin faktik të tyre si dhe realizimin e të ardhurave, duke hartuar pasqyrat përkatëse të cilat ia raporton Përgjegjësit të Sektorit Ekonomik.
- Përpilon situacione periodike mujore të shpenzimeve dhe të ardhurave dhe i dorëzon në Drejtorinë e Menaxhimit Financiar pranë Bashkisë Tiranë.
- Kontrollon dhe administron dokumentat e magazinës që ka në ngarkim (fletë-hyrje, faturë tatimore, fletë-dalje, urdhër dorëzim, procesverbal, plane shpërndarje, urdhëra dhe çdo dokument tjetër justifikues që nevojitet për qarkullimin e mallrave), duke respektuar të gjithë elementët që kërkon ligji.
- Për çdo mjet transporti hap dhe administron kartelat e shërbimeve që i janë kryer mjetit gjatë vitit, sipas legjislacionit në fuqi.
1. KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI NË PROCEDURËN E PRANIMIT DHE KRITERET E VEÇANTA
Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e pranimit për pozicionin Specialist Finance e Dytë janë:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë kryer arsimin e lartë;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
- Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
- Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje.
Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e veçanta si vijon:
- Të zotërojnë minimalisht diplomë të nivelit “Bachelor” ose Diplomë e barazvlefshme me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në shkencat ekonomike.
- Përdorues shumë i mirë i paketës MS Office dhe programeve financiare (Alpha, Financa 5)
2. DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT
Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:
- Kërkesë për aplikim (me shkrim dore sipas formatit të publikuar);
- Curriculum Vitae (jetëshkrimi);
- Fotokopje e diplomës së shkollës e noterizuar (përfshirë edhe diplomën bachelor);
- Fotokopje e kartës se identitetit;
- Çertifikatë e përbërjes familjare;
- Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimim shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;
- Fotokopje e librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
- Motivacioni i largimit nga puna e fundit (nëse është i punësuar ose ka qënë i punësuar);
- Raport mjeko-ligjor;
- Vërtetim i gjendjes gjyqësore;
- Dy fotografi ( përmasa 2.5×3.5 cm).
Dokumentat duhet të dorëzohen me postë apo drejtpërsëdrejti në zyrën e protokollit të Agjencisë së Shërbimeve Funerale brenda datës 15 shkurt 2022.
3. REZULTATET PËR FAZËN E VERIFIKIMIT PARAPRAK
Në datën 18 shkurt 2022, Njësia e Burimeve Njerëzore në Agjencinë e Shërbimeve Funerale do të shpallë në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen e internetit të Agjencisë dhe stendat e informimit të publikut, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kriteret e veçanta për procedurën e pranimit si dhe datën, vendin dhe orën e saktë ku do të zhvillohet intervista. Në të njëjtën datë kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet e pranimit për pozicionin e lirë të punës dhe kërkesat e posaçme do të njoftohen individualisht (nëpërmjet adresës së e-mail), për shkaqet e moskualifikimit.
4. FUSHAT E NJOHURIVE, AFTËSITË DHE CILËSITË MBI TË CILAT DO TË ZHVILLOHET INTERVISTA
Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me njohuritë në:
- Ligjin nr.9220, datë 15.04.2004 “Për administrimin e shërbimit të varrimit” (ndryshuar me ligjin Nr.80/2014).
- Ligjin nr.10 296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, i ndryshuar
5. MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE
Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:
Kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe për vlerësimet e rezultateve individale në punë.Totali i pikëve për këtë vlerësim është 40 pikë.
Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:
a- Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;
b- Eksperiencën e tyre të mëparshme;
c- Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 60 pikë.
6. DATA E DALJES SË REZULTATIT DHE MËNYRA E KOMUNIKIMIT
Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Njësia e Burimeve Njerëzore do të njoftojë ata individualisht në mënyrë elektronike për rezultatet (nëpërmjet adresës së e-mail). Njësia e Burimeve Njerëzore do të shpallë fituesin në faqen zyrtare të Agjencisë, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe stendat e informimit të publikut.