Tirana është qyteti i parë në Shqipëri që ka nisur zbatimin e projektit pilot për varrezat murale, duke i dhënë zgjidhje problemit disavjeçar të mungesës së hapësirave. Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e varrezave të para murale për 438 vende të reja, por njëkohësisht ka nisur punën për rehabilitimin tërësor të varrezave të Sharrës dhe rindërtimin e rrugës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen në Sharrë dhe theksoi se zonës po i kthehet dinjiteti i munguar prej vitesh. “Po fillojmë një projekt të ri në varrezat e Sharrës, e cila ka qenë një problematikë të mbartur ndër vite. Madje, gjatë administratës së shkuar kemi patur disa raste çnjerëzore, ku njerëzit janë varrosur edhe në gjurmën e rrugës dhe rrugicave sepse nuk ka patur hapësirë. Nuk është aspak dinjitoze që në qytet të moes gjendej hapësirë për të sistemuar ata që nuk jetojnë më banesën e tyre të fundit”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Si zgjidhje e problemit vjen projekti i varrezave murale. Objekti është ndërtuar në forme “U”-je dhe siguron jo vetëm një shfrytëzim më të mirë të hapësirave, por edhe krijimin e mjediseve më të mira për vizitorët. “Së pari, kemi shpronësuar mjaftueshëm për të pasur rezerva për varreza në të ardhmen. Së dyti, po fillojmë një proces transformimi të të gjithë hapësirës, siç kemi bërë në Tufinë, ku kemi sistemuar të gjitha rrugët e brendshme, e kemi gjelbëruar, kemi shtuar ndriçimin, e kemi asfaltuar dhe rregulluar kanalizimet. Detyra e bashkisë nuk është të administrojë vetëm jetët e atyre që jetojnë në Tiranën urbane dhe që janë gjallë, por sigurisht si një institucion që e shoqëron njeriun nga çeku i bebes e deri në varreza, është në dinjitetin e këtij institucioni që të kujdeset edhe për ata që nuk jetojnë më”, tha Veliaj.
Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve të cilët kanë zënë hapësirat publike me ndërtime pa leje që t’i lirojnë ato vullnetarisht. “Do t’u kërkoj me shumë dashamirësi të gjithë atyre që kanë zaptuar hapësirë në varreza, t’i lirojnë ato përpara se të vijnë fadromat e bashkisë. Në momentin që vijnë fadromat e bashkisë, nuk do të falet askush që ka zënë një centimetër tokë publike nga varrezat publike të prindërve dhe të gjyshërve tanë në Sharrë. Ndaj, kërkoj bashkëpunimin e të gjithëve për të liruar hapësirat”, tha ai.
Fillimisht, projekti i varrezave murale do të pilotohet me zhvendosjen e varreve të ushtarëve të para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të vijuar me varrezat mbi 40-vjeçare. “Kemi mbi 600 kërkesa për t’u transferuar në varrezat murale. Po fillojmë me 438 vendet e para, mandej do të vazhdojmë me shtrirjen e projektit. Sipas ligjit, minimumi është 15 vjet, megjithatë duke qenë se kemi varre të braktisura prej 40-50 vitesh, apo si në rastin e ushtarëve italianë mbi 70 vjet, është shumë e rëndësishme që t’i përdorim si një shembull se si në mënyrë estetike, në një vend paqësor, por shumë më kompakt për çështje të hapësirës publike, mund ta trajtojmë me shumë dinjitet e transparencë këtë proces. Shumë qytetarë do ta kuptojnë se kjo është një mënyrë moderne për t’i trajtuar me dinjitet edhe ata që s’jetojnë më, por sigurisht edhe ruajmë tokën që e kemi të nevojshme në të ardhmen”, tha kryebashkiaku.
Gjithashtu, Bashkia e Tiranës ka nisur punën edhe për lidhjen e varrezave të Sharrës me rrugët ekzistuese në Kombinat. Rrugët e parashikuara për t’iu nënshtruar rikonstruksionit do të mundësojnë aksesin për në “Sharrë”, e cila është një ndër varrezat kryesore të qytetit të Tiranës. Ndërhyrja parashikon ndërtimin e rrugëve të brendshme të varrezave dhe ndërtimin e një parkingu. Të gjitha segmentet do të pajisen me ndriçim rrugor dhe me rrjet kanalizimi.