Në mbështetje të Ligjit nr.139/2015, datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”; Ligjin nr. 7961,datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” (të ndryshuar), Urdhërit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë 2784 prot., datë 19.01.2024 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Agjencisë së Shërbimeve Funerale, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë”, Agjencia e Shërbimeve Funerale shpall procedurën e konkurimit për vendin e lirë të punës për pozicionin:
1 (një) Përgjegjës i Varrezave Tufinë
Përshkrimi përgjithësues i punës për pozicionin si më sipër është:
- Organizon kryerjen e shërbimeve funerale, pastrimin, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e varreve dhe varrezave publike.
- Organizon punën për punonjësit që kanë në varësi, sipas parashikimeve të rregullores.
- Përgjigjet për çdo shërbim varrimi të kryer pa urdhërin e punës të lëshuar nga sektori ekonomik i institucionit dhe pa verifikuar në sektorin ekonomik kryerjen e pagesës nga agjencia funerale private.
- Përgjigjen për bazën materiale të furnizuar nga institucioni për mbarëvajtjen e punës në sektor.
- Përcakton vendin e varrimit, duke përcaktuar qartë numrin e parcelës, të radhës dhe të varrit të të ndjerit dhe orës së kryerjes së varrimit.
- Organizon dhe bën pritjen e mallrave nga firmat furnizuese kundrejt një procesverbali me komision, duke përcaktuar në të cilësinë, sasinë e vlerën e mallit dhe një kopje të procesverbalit ia bashkëlidh faturës tatimore.
- Përgjigjet për kryerjen e çdo zhvarrimi të të ndjerëve (eshtra) pa marrë miratim nga drejtoria për zhvarrim eshtrash dhe pa kaluar koha e prehjes që parashikon ligji.
- Përgjigjet për kryerjen e çdo rivarrosje të eshtrave, të ardhura nga rrethet e tjera, pa marrë miratim nga drejtoria për pranim eshtrash.
- Përgjigjet për kryerjen e çdo rezervim të vendvarrimeve në kundërshtim të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi për “Administrimin e shërbimit të varrimit” dhe pa miratim të drejtorisë.
- Përgjigjet për dëmtimin ose përdorimin e infrastukrurës brenda territorit të varrezave si të shesheve rrugëve kryesore apo dytësore për varrime.
- Ndjek konsumimin e materialeve, sipas normativave të miratuara dhe çdo muaj raporton te specialist inxhinier ndërtimi, sektorin ekonomik dhe në drejtori mbi gjendjen e materialeve.
1. KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI NË PROCEDURËN E PRANIMIT DHE KRITERET E VEÇANTA
Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e pranimit për pozicionin Përgjegjës Varrezash Tufinë janë:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë kryer arsimin e lartë;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
- Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
- Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje.
Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e veçanta si vijon:
- Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master Shkencor” ose Diplomë e barazvlefshme me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në shkencat inxhinieri ndërtimi/ juridike/ekonomike.
- Të këtë përvojë pune jo më pak se 5 (pesë) vjet në profesion;
- Përdorues shumë i mirë i paketës MS Office.
2. DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT
Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:
- Kërkesë për aplikim (me shkrim dore);
- Curriculum Vitae (jetëshkrimi);
- Fotokopje e diplomës së shkollës dhe lista e notave e noterizuar (përfshirë edhe diplomën bachelor);
- Fotokopje e kartës se identitetit;
- Çertifikatë personale;
- Çertifikatë e përbërjes familjare;
- Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimim shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;
- Fotokopje e librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
- Motivacioni i largimit nga puna e fundit (nëse është i punësuar ose ka qënë i punësuar);
- Raport mjeko-ligjor;
- Vërtetim i gjendjes gjyqësore;
- Dy fotografi ( përmasa 2.5×3.5 cm).
Dokumentat duhet të dorëzohen me postë apo drejtpërsëdrejti në zyrën e protokollit të Agjencisë së Shërbimeve Funerale brenda datës 28 shkurt 2024.
3. REZULTATET PËR FAZËN E VERIFIKIMIT PARAPRAK
Në datën 01 mars 2024, Njësia e Burimeve Njerëzore në Agjencinë e Shërbimeve Funerale do të shpallë në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen e internetit të Agjencisë dhe stendat e informimit të publikut, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kriteret e veçanta për procedurën e pranimit si dhe datën, vendin dhe orën e saktë ku do të zhvillohet intervista. Në të njëjtën datë kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet e pranimit për pozicionin e lirë të punës dhe kërkesat e posaçme do të njoftohen individualisht (nëpërmjet adresës së e-mail), për shkaqet e moskualifikimit.
4. FUSHAT E NJOHURIVE, AFTËSITË DHE CILËSITË MBI TË CILAT DO TË ZHVILLOHET INTERVISTA
Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me njohuritë në:
- Ligjin nr.9220, datë 15.04.2004 “Për administrimin e shërbimit të varrimit” (ndryshuar me ligjin Nr.80/2014).
- VKM nr.711, datë 29.10.2014 “Për miratimin e rregullores “Për administrimin dhe funksionimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar).
- VKM nr.712, datë 29.10.2014 për miratimin e rregullores teknike “Për projektimin dhe ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”.
5. MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE
Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:
Kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe për vlerësimet e rezultateve individale në punë.Totali i pikëve për këtë vlerësim është 40 pikë.
Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:
a- Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;
b- Eksperiencën e tyre të mëparshme;
c- Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 60 pikë.
6. DATA E DALJES SË REZULTATIT DHE MËNYRA E KOMUNIKIMIT
Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Njësia e Burimeve Njerëzore do të njoftojë ata individualisht në mënyrë elektronike për rezultatet (nëpërmjet adresës së e-mail). Njësia e Burimeve Njerëzore do të shpallë fituesin në faqen zyrtare të Agjencisë, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe stendat e informimit të publikut.