Përgjegjës i Varrezave Tufinë – Njoftim për vend të lirë pune

Në mbështetje të Ligjit nr.139/2015, datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”; Ligjit nr. 7961,datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” (të ndryshuar), Urdhërit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë nr.470, datë 06.01.2022 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Agjencisë së Shërbimeve Funerale, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë”, Agjencia e Shërbimeve Funerale shpall procedurën e konkurimit për një vend të lirë pune për pozicionin:

  • Përgjegjës i Varrezave Tufinë – Kategoria e pagës III-a

Përshkrimi përgjithësues i punës për pozicionin është:

  1. Organizon kryerjen e shërbimeve funerale, pastrimin, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e varreve dhe varrezave publike.
  2. Organizon  punën për punonjësit që kanë në varësi, sipas parashikimeve të rregullores.
  3. Përgjigjet për çdo shërbim varrimi të kryer pa urdhërin e punës të lëshuar nga sektori ekonomik i institucionit dhe pa verifikuar në sektorin ekonomik kryerjen e pagesës nga agjencia funerale private.
  4. Përgjigjen për bazën materiale të furnizuar nga institucioni për mbarëvajtjen e punës në sektor.
  5. Përcakton vendin e varrimit, duke përcaktuar qartë numrin e parcelës, të radhës dhe të varrit të të ndjerit dhe orës së kryerjes së varrimit.
  6. Organizon dhe bën pritjen e mallrave nga firmat furnizuese kundrejt një procesverbali me komision, duke përcaktuar në të cilësinë, sasinë e vlerën e mallit dhe një kopje të procesverbalit ia bashkëlidh faturës tatimore.
  7. Përgjigjet për kryerjen e çdo zhvarrimi të të ndjerëve (eshtra) pa marrë miratim nga drejtoria për zhvarrim eshtrash dhe pa kaluar koha e prehjes që parashikon ligji.
  8. Përgjigjet për kryerjen e çdo rivarrosje të eshtrave, të ardhura nga rrethet e tjera, pa marrë miratim nga drejtoria për pranim eshtrash.
  9. Përgjigjet për dëmtimin ose përdorimin e infrastukrurës brenda territorit të varrezave si të shesheve rrugëve kryesore apo dytësore për varrime.
  10. Ndjek konsumimin e materialeve, sipas normativave të miratuara dhe çdo muaj raporton te specialist inxhinier ndërtimi, sektorin ekonomik dhe në drejtori mbi gjendjen e materialeve.
  11. Kontrollon plotësimin me korrektësi të Regjistrit të Shërbimit të Varrimit dhe e nënshkruan atë në çdo faqe. Për realizimin e kësaj detyre përgjegjësi i sektorit ka të drejtë te kërkojë nga personat përgjegjës çdo të dhënë që i nevojitet.
  12. Kontrollon dhe disiplinon punimet e ndërtimit të varreve që kryhen nga subjektet private brenda territorit të varrezave  publike, sipas Ligjin nr.9220, datë 15.04.2004 “Për administrimin e shërbimit të varrimit” (ndryshuar me ligjin Nr.80/2014); Vendimin e Keshillit të Ministrave nr.711, datë 29.10.2014 “Për miratimin e rregullores “Për administrimin dhe funksionimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë” dhe V.K.M nr.712, datë 29.10.2014 për miratimin e rregullores teknike ”Për projektimin dhe ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë” dhe aktet e tjera nënligjore të dala në zbatim të tij.

1. KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI NË PROCEDURËN E PRANIMIT DHE KRITERET E VEÇANTA

Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e pranimit për pozicionin Përgjegjës i Varrezave Tufinë janë:

  1. Të jetë shtetas shqiptar;
  2. Të ketë kryer arsimin e lartë;
  3. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  4. Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
  5. Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
  6. Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje.

Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e veçanta si vijon:

  1. Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master Shkencor” në Inxhinieri Ndërtimi/Gjeologji/Gjeodezi. Diplomat, të cilat janë marrë jashtë vendit duhet të jenë njohur pranë institucionit përgjegjës për njehsimin e diplomave sipas legjislacionit të arsimit të lartë.
  2. Eksperienca në punë jo më pak se 5 vjet.

2. DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT

 Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:

  1. Kërkesë për aplikim (me shkrim dore sipas formatit të publikuar);
  2. Curriculum Vitae (jetëshkrimi);
  3. Fotokopje e diplomës së shkollës e noterizuar (përfshirë edhe diplomën bachelor);
  4. Fotokopje e kartës se identitetit;
  5. Çertifikatë e përbërjes familjare;
  6. Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimim shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;
  7. Fotokopje e librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  8. Motivacioni i largimit nga puna e fundit (nëse është i punësuar ose ka qënë i punësuar);
  9. Raport mjeko-ligjor;
  10. Vërtetim i gjendjes gjyqësore;
  11. Dy fotografi (përmasa 2.5×3.5 cm).

Dokumentat duhet të dorëzohen me postë apo drejtpërsëdrejti në zyrën e protokollit të Agjencisë së Shërbimeve Funerale brenda datës 23 mars 2022.

3. REZULTATET PËR FAZËN E VERIFIKIMIT PARAPRAK

Në datën 25 mars 2022, Njësia e Burimeve Njerëzore në Agjencinë e Shërbimeve Funerale do të shpallë në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen e internetit të Agjencisë dhe stendat e informimit të publikut, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kriteret e veçanta për procedurën e pranimit si dhe datën, vendin dhe orën e saktë ku do të zhvillohet intervista. Në të njëjtën datë kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet e pranimit për pozicionin e lirë të punës dhe kërkesat e posaçme do të njoftohen individualisht (nëpërmjet adresës së e-mail), për shkaqet e moskualifikimit.

4. FUSHAT E NJOHURIVE, AFTËSITË DHE CILËSITË MBI TË CILAT DO TË ZHVILLOHET INTERVISTA

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me njohuritë në:

  1. Ligjin nr.9220, datë 15.04.2004 “Për administrimin e shërbimit të varrimit” (ndryshuar me ligjin Nr.80/2014) dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
  2. Ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 për “Kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar. 

5. MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:

Kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe për vlerësimet e rezultateve individale në punë. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 40 pikë.

Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:

a- Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;

b- Eksperiencën e tyre të mëparshme;

c- Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 60 pikë.

6. DATA E DALJES SË REZULTATIT DHE MËNYRA E KOMUNIKIMIT

Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Njësia e Burimeve Njerëzore do të njoftojë ata individualisht në mënyrë elektronike për rezultatet (nëpërmjet adresës së e-mail). Njësia e Burimeve Njerëzore do të shpallë fituesin në faqen zyrtare të Agjencisë, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe stendat e informimit të publikut.