Specialist Finance e Dytë – Njoftim për vend të lirë pune

NJOFTIM PËR VEND TË LIRË PUNE

Në mbështetje të Ligjit nr.139/2015, datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”; Ligjin nr. 7961,datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” (të ndryshuar), Urdhërit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë nr.470, datë 06.01.2022 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Agjencisë së Shërbimeve Funerale, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë”, Agjencia e Shërbimeve Funerale shpall procedurën e konkurimit për një vend të lirë pune për pozicionin:

  • Specialist Finance e Dytë – Kategoria e pagës IV-a

Përshkrimi përgjithësues i punës për pozicionin si më sipër është:

  1. Verifikon veprimet kontabël të magazinës në bashkëpunim me punonjësen e ngarkuar për magazinën dhe harton raportin përmbledhës të llogarive për çdo muaj.
  2. Kontabilizon në ditarin e të ardhurave të gjitha veprimet që rrjedhin nga veprimtaria e të ardhurave të institucionit, të ardhurat nga shërbimi i varrimit dhe të ardhura të tjera që mund të realizohen gjatë aktivitetit të institucionit që rregullohet nga legjislacioni në fuqi.
  3. Kontabilizon, kontrollon dhe administron dokumentacionin justifikues dhe ligjor për realizimin e të ardhurave.
  4. Kuadron me Degën e Thesarit Tiranë për të ardhurat mujore dhe kryen rakordime periodike ditore, javore, mujore, vjetore sa herë kërkohet nga Drejtori i institucionit, Përgjegjësi i Sektorit Ekonomik dhe Drejtoria e Menaxhimit Financiar pranë Bashkisë Tiranë etj.
  5. Bën rakordimin periodik me Degën e Buxhetit dhe Degën e Thesarit për çeljen e fondeve dhe realizimin faktik të tyre si dhe realizimin e të ardhurave, duke hartuar pasqyrat përkatëse të cilat ia raporton Përgjegjësit të Sektorit Ekonomik.
  6. Përpilon situacione periodike mujore të shpenzimeve dhe të ardhurave dhe i dorëzon në Drejtorinë e  Menaxhimit Financiar pranë Bashkisë Tiranë.
  7. Kontrollon dhe administron dokumentat e magazinës që ka në ngarkim (fletë-hyrje, faturë tatimore, fletë-dalje, urdhër dorëzim, procesverbal, plane shpërndarje, urdhëra dhe çdo dokument tjetër justifikues që nevojitet për qarkullimin e mallrave), duke respektuar të gjithë elementët që kërkon ligji.
  8. Për çdo mjet transporti hap dhe administron  kartelat e shërbimeve që i janë kryer mjetit gjatë vitit, sipas legjislacionit në fuqi.

1. KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI NË PROCEDURËN E PRANIMIT DHE KRITERET E VEÇANTA

Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e pranimit për pozicionin Specialist Finance e Dytë janë:

  1. Të jetë shtetas shqiptar;
  2. Të ketë kryer arsimin e lartë;
  3. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  4. Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
  5. Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
  6. Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje.

Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e veçanta si vijon:

  1. Të zotërojnë minimalisht diplomë të nivelit “Bachelor” ose Diplomë e barazvlefshme me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në shkencat ekonomike.
  2. Përdorues shumë i mirë i paketës MS Office dhe programeve financiare (Alpha, Financa 5)

2. DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT

 Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:

  1. Kërkesë për aplikim (me shkrim dore sipas formatit të publikuar);
  2. Curriculum Vitae (jetëshkrimi);
  3. Fotokopje e diplomës së shkollës e noterizuar (përfshirë edhe diplomën bachelor);
  4. Fotokopje e kartës se identitetit;
  5. Çertifikatë e përbërjes familjare;
  6. Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimim shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;
  7. Fotokopje e librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  8. Motivacioni i largimit nga puna e fundit (nëse është i punësuar ose ka qënë i punësuar);
  9. Raport mjeko-ligjor;
  10. Vërtetim i gjendjes gjyqësore;
  11. Dy fotografi ( përmasa 2.5×3.5 cm).

Dokumentat duhet të dorëzohen me postë apo drejtpërsëdrejti në zyrën e protokollit të Agjencisë së Shërbimeve Funerale brenda datës 15 shkurt 2022.

3. REZULTATET PËR FAZËN E VERIFIKIMIT PARAPRAK

Në datën 18 shkurt 2022, Njësia e Burimeve Njerëzore në Agjencinë e Shërbimeve Funerale do të shpallë në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen e internetit të Agjencisë dhe stendat e informimit të publikut, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kriteret e veçanta për procedurën e pranimit si dhe datën, vendin dhe orën e saktë ku do të zhvillohet intervista. Në të njëjtën datë kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet e pranimit për pozicionin e lirë të punës dhe kërkesat e posaçme do të njoftohen individualisht (nëpërmjet adresës së e-mail), për shkaqet e moskualifikimit.

4. FUSHAT E NJOHURIVE, AFTËSITË DHE CILËSITË MBI TË CILAT DO TË ZHVILLOHET INTERVISTA

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me njohuritë në:

  1. Ligjin nr.9220, datë 15.04.2004 “Për administrimin e shërbimit të varrimit” (ndryshuar me ligjin Nr.80/2014).
  2. Ligjin nr.10 296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, i ndryshuar

5. MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:

Kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe për vlerësimet e rezultateve individale në punë.Totali i pikëve për këtë vlerësim është 40 pikë.

Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:

a- Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;

b- Eksperiencën e tyre të mëparshme;

c- Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 60 pikë.

6. DATA E DALJES SË REZULTATIT DHE MËNYRA E KOMUNIKIMIT

Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Njësia e Burimeve Njerëzore do të njoftojë ata individualisht në mënyrë elektronike për rezultatet (nëpërmjet adresës së e-mail). Njësia e Burimeve Njerëzore do të shpallë fituesin në faqen zyrtare të Agjencisë, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe stendat e informimit të publikut.